Dasmat

Written on 03/07/2026
Zelora Platform


Qepja e nishanit

Ditën e enjte, pasi vjen miqësia, bëhet ceremonia e qepjes së nishanit. Gjatë kësaj ceremonie, 2 prej grave qepin nishanin, ndërkohë që të tjerat këndojnë këngë popullore të dedikuara nuses. Gratë që e qepin nishanin duhet të jenë me nënë dhe me babë. Nishani në vetvete është 5 apo 7 shaje me ngjyra të ndryshme dhe madhësi të ndryshme të kombinuara me njëra-tjetrën. Nëpër cepat e nishanit qepen lule dhe monedha. Gjithashtu në mes të tij vendoset lule, monedha, pak lesh dele i palarë edhe pak pe në ngjyrë të kuqe. Pasi mbarohet me qepjen, gratë dorovisin nishanin, pra hedhin lekë në të. Lekët merren nga familja e nuses, një prej tyre lihet brenda në nishan. Në një valixhe vendoset nishani dhe një pako llokume. Mbi to hidhen karamele, oriz e lule të freskëta. Ndërkohë vjen krushqia nga ana e dhëndrit, por jo dhëndri. Ata sjellin me vete nishanin që kanë qepur te shtëpia e dhëndrit, fustanet e bardha për nusen dhe dhurata për të. Pasi qerasen, këndojnë së bashku të dy palët e krushqve. Është e rëndësishme që nusja të mos dalë e të mos e shikojë krushqia. Kjo bëhet sepse ata duhet të mahniten nga bukuria e nuses kur ajo shkon në dasmë. Krushqit largohen duke marrë me vete nishanin dhe pajën që ka përgatitur nusja. Paja janë gjërat që nusja zgjedh të marrë me vete në shtëpinë e dhëndrrit, ku mund të bëjnë pjesë: rroba,perde, tapet, mbulesë krevati, çarçaf, jorgan, batanije dhe çfarë ajo të ketë pasur dëshirë të marrë me vete. Ajo i merr këto për të stolisur dhomën e saj. Kur krushqia largohet, bashkë me ta është edhe një djalë i vogël i cili quhet “Çuni i pajës”, dhe dorovitet nga prindërit e nuses. Ata përcillen me këngë e valle. Të zotët e shtëpisë organizojnë një drekë për miqësinë bashkë me nusen.









Ahengu

Ahengu, ndryshe i njohur edhe si hajengu, nis darkën e së enjtes për nusen, pra në të njëjtën ditë që u bë qepja e nishanit. Dhëndri mund ta fillojë ahengun edhe që të hënën. Në dasmat e vjetra ahengu bëhej me orkestër, të cilën e sillte daja, ndërsa në dasmat e sotme mund të bëhet edhe me DJ. Të gjithë njerëzit që kanë dëshirë mund të vijnë e të kërcejnë në ritmet e muzikës. Një njeri zgjidhet për të mbajtur një tabaka me karamele që të qerasi miqësine. Ahengu zgjat deri në orët e vona të natës. Pasi mbyllet ahengu, të zotët e shtëpisë hanë darkë bashkë me miqësinë, duke festuar deri në mëngjes së bashku me orkestrën. Ahengu mund të zgjatet deri në 1 ditë para dasmës.


Dasma e nuses - Dita e shtunë

Nusja, pasi është rregulluar, dhe ka veshur fustan të bardhë, rri në dhomë veç, e shoqëruar me një shoqe sipas dëshirës. Pasi mblidhet miqësia, nisen para për të shkuar te restoranti i dasmës. Nusja del nga shtëpia e shoqëruar nga familja. Para saj kalon një njeri i cili spërkat rrugën ku ajo po kalon me raki. Rakia simbolizon djegien e të ligave. Tashmë ajo niset dhe shkon për te salla e dasmës ku e presin të ftuarit me duartrokitje. Sipas traditës ajo hyn e shoqëruar nga babai. Dasma hapet me një fjalim. Vallja e parë hapet nga daja, pastaj vazhdojnë xhaxhallarët, hallat, tezet dhe miqësia me radhë. Pasi ata mbarojnë, kërcejnë shoqëria e nuses. Rëndësi të madhe ka ardhja e krushqve me dhëndrin, një orë pasi ka nisur dasma. Ata duhet të jenë patjetër një numër tek, pra shtatë, nëntë, njëmbëdhjetë, etj. Pas shoqërisë në valle ngrihet krushqia. Kur ata mbarojnë së kërcyeri pritet torta. Nusja dhe dhëndri kryqëzojnë duart me gotën e shampanjës. Pasi përcillen krushqit, të ftuarit kërcejnë sipas dëshirës. Dasma mbyllet me një fjalim falënderues.








Percjellja e nuses - Dita e dielë

Pasi nusja rregullohet dhe stoliset rri në dhomë duke pritur ardhjen e krushqisë. Para se dhëndri të niset, daja çon në shtëpinë e tij një dash të zbukuruar. Miqësia e nuses presin ardhjen e krushqve të rreshtuar në një rend nga më i madhi te më i vogli i fisit. Edhe krushqia vjen sipas një rendi, i pari është një çun i ri që mban barjakun bashkë me një shoqërues, pas tij lajmësi dhe më pas vjen daja e të gjithë me radhë. Barjaku është një shkop druri me tre kunja ku ndodhen 3 mollë. Anës shkopit është i lidhur nishani i qepur në ditën e enjte nga ana e nuses. Mollët nuk duhet të merren nga ana e nuses, prandaj mbajtësi dhe shoqëruesi i tyre janë shumë të kujdesshëm. Të dy palët e krushqisë takojnë njëri-tjetrin në rresht. Gratë hyjnë në një dhomë brenda shtëpisë, ku priten duke kënduar nga ana e nuses. Ato qerasen dhe këndojnë së bashku. Dy prej grave të shtëpisë sjellin nusen në dhomën ku kanë ardhur krushkat. Aty ndodhet edhe një gocë e vogël që i jep një buqetë me lule nuses. Një nga gratë e fisit të nuses qësndis me këngë krushkat që të dorovisin nusen, dhe ato ngrihen, takojnë nusen dhe e dorovisin me radhë. Para se nusja të dalë nga shtëpia takohet me njerëzit më të dashur të saj. Nusja del nga shtëpia e shoqëruar nga daja dhe vëllai. Para saj, deri te makina, spërkatet rruga me raki. Në përcjelljen e saj vijnë edhe të gjithë njerëzit që kanë dëshirë. Para se ta takojë dhëndrin ajo hedh lulet dhe 1 nga mollët e barjakut pas kurrizit të saj. Lulet simbolizojnë beqarinë, ndërsa molla simbolizon kismetin. Ato kapen nga njerëzit që kanë ardhur dhe qëndrojnë pas saj. Kapja e tyre konsiderohet ogur i mbarë. Ajo takon dhëndrin. Në të njëjtën kohë një nga vajzat e fisit të saj hedh monedha, karamele dhe oriz. Një vajzë tjetër me tabaka qeras të gjithë miqësinë me karamele. Pasi përcillet nusja me këngë e valle, thyhet shishja e rakisë për të djegur të ligat. Nëse kanë dëshirë nusja dhe dhëndri shkojnë në kishë për t'u kurorëzuar, në praninë te dyja palëve të krushqve. Prifti pret me kurorat dhe unazat, së bashku me miqësinë dhe dhëndrin që të vij nusja e shoqëruar nga babai. Ai e shoqëron për te dhëndri dhe i jep bekimin për të kaluar një jetë sa më të lumtur.








Pritja në shtëpinë e dhëndrit

Nusja mbërrin në shtëpinë e dhëndrit, ku ajo pritet me këngë e valle nga vjehrri, vjehrra dhe pjesëtarët e tjerë të fisit të dhëndrit. Ajo takohet dhe përshëndetet me njerëzit, edhe kërcen me ta.  Para se të hyj në derën e shtëpisë vjehrra i jep nuses një pako me llokume, dhe nusja i ofron nga një llokum në gojë dhëndrit, vjehrrës dhe vjehrrit, si shenjë respekti dhe ëmbëlsie për familjen e re. Nusja lyen gishtin me mjaltë dhe lyen 3 herë derën e shtëpisë që t’u shkojë jeta mjaltë. Te dera është edhe një djalë i vogël i cili dorovitet nga nusja, dhe kjo simbolizon që nusja të lindë një djalë. Nusja futet në dhomën e saj shoqëruar nga gratë. Më pas një djalë tjetër i vogël i heq njërën këpucë ku nusja ka vendosur para dhe ai i merr për t’i sjellë fat. Ndërkohë, burrat e krushqve ulen në dhomë të veçantë, pinë verë dhe ngrenë dolli për çiftin. Pas këtyre riteve nusja qetësohet sepse në mbrëmje është dasma e dhëndrit.




Dasma e dhëndrit - Dita e dielë

Nusja e rregulluar dhe e stolisur niset bashkë me dhëndrin dhe fisin e tij për te restoranti i dasmës. Çifti hyn në sallë duke përshëndetur të gjithë të ftuarit, e më pas vallëzojnë së bashku. Dasma hapet me një fjalim nga i zoti i shtëpisë, ku përshëndet pjesëmarrësit. Një orë pasi hapet dasma, vijnë krushqit dhe priten me muzikë dhe duartrokitje. Ata duhet të jenë patjetër një numër tek, pra shtatë, nëntë, njëmbëdhjetë, etj. Të dyja palët e krushqve takohen. Vallja e parë hapet nga daja, pastaj vazhdojnë xhaxhallarët, hallat, tezet dhe miqësia me radhë. Më pas dhëndri djeg shaminë e beqarit, pra i thotë mirupafshim beqarisë. Vallja e radhës merret nga shoqëria e dhëndrit dhe pas tyre kërcejnë krushqia. Pas përfundimit të valleve bëhet ceremonia e prerjes së tortës. Nusja dhe dhëndri kryqëzojnë duart duke pirë shampanjën. Më pas përcillen krushqit dhe të ftuarit vazhdojnë të kërcejnë sipas dëshirës. Në fund, dasma mbyllet me një fjalim falënderues